Por ja, papritur, çdo gjë ndryshoi ditën që ranë bombat e para. Dhomës së madhe iu thyen të gjitha qelqet e dritareve dhe u shëmtua e u trondit shumë, kurse kubeja e qetë dhe babaloke as që pyeti fare, ç’u bë përjashta.
Mua më vintë shumë keq për dhomën e madhe, që e braktisën të gjithë. Gjatë kohës që vazhdonte bombardimi dhe muret e trasha të kubesë as që tundeshin fare, unë ia qaja hallin dhomës së madhe, që dridhej e trandej e tëra, atje lart, e vetme fare. Ajo më dukej si një grua e bukur, por e trembur dhe me nerva, kurse kubeja ishte një plakë shurdhe me kockë të fortë. Menjëherë, porse dhoma e made e humbi rëndësine e saj, kubeja u bë pjesa më e nderuar e shtëpisë. Dukej sikur shtëpia jonë qe kthyer me kokë poshtë.
Nga dritarja e dhomës së madhe, e braktisur tani përfundimisht, vështroja shtëpitë e tjera, që kishin shtrirë pullazet e tyre nën shiun e hollë të vjeshtës. Mendoja se me siguri pas bombardimit të parë, në çdo shtëpi kishte ndodhur e njëjta përmbysje si në shtëpinë tonë. Ndoshta prej shumë kohësh kubetë dhe qilaret me lagështirë të qytetit e prisnin këtë ditë. Ndoshta ato e dinin se do të vinte koha e sundimit të tyre.
Kishte ardhur një kohë e vështirë për katet e treta të qytetit. Gjatë ndërtimit të qytetit, druri si më dinak ishte ngjitur në katin e tretë, duke i lënë gurit themelet, zgafellat dhe sternat. Atje në gjysmëerrësirë, guri duhej të luftonte me lagështirën dhe me ujërat e nëndheshme, në kohën që druri zbukuronte katin e tretë, gdhendej e pastrohej me kujdes. Kati i tretë ishte i lehtë, gati i mosqenë. Ai ishte ëndrra e qytetit, trilli i tij, fluturimi i fantazisë së tij. E megjithatë, kjo fantazi ishte e kufizuar. Duke i dhënë liri katit të tretë, qyteti dukej sikur qe penduar dhe kishte shpejtuar të ndreqte gabimin. Ai e kishte mbuluar katin e tretë me pullazet e gurtë, duke e treguar edhe një herë se këtu ishte mbretëria e gurit.
Ismail Kadare, Kronikë në Gur (Tiranë: Onufri, 2000), pp. 114–115.